FIER – Policia nuk ka rënë endë në gjurmët e autorëve që ekzekutuan mbrëmë biznesmenin 57-vjeçar, Demir Backa në Fier.

Ai u qëllua në makinën e tij që ndodhej e parkuar para një qendre tregtare, një zonë me lëvizje të shumta në ato momente.

Burime nga grupi hetimor thanë se janë duke verifikuar të kaluarën e 57-vjeçarit duke punuar në disa pista.

Një prej pistave që po verifikohet është një krim i kryer 23 vite më parë. Në vitin 1998, 57-vjeçarit i kanë ekzekutuar motrën dhe bashkëshortin e saj në afërsi të shkollës së Muzikës në Fier.

Sipas news24, pista e dytë që po hetohet është konflikti për një pjesë të lagunës në Lushnjë, në Gotull. Janë rreth 200 hektarë e dhënë me koncesion dhe para disa kohësh ka pasur një konflikt mes personit që e ka marrë atë koncesion dhe Demir Backës.

Pista e tretë është sërish për çështje pronash. Backa ka pasur qindra hektarë tokë të pyllëzuar në Darëzezë dhe në këtë sipërfaqe janë prishur disa objekte të ndërtuara nga banorët.

Po kështu mbetet pista e konfliktit me një person me influence në Fier, i cili ishte subjekt i OFL.