Hakmarrja mes dy fiseve mbetet pista kryesore ku po fokusohet policia në lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit Kristian Marku (Bardhi), ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Rrëshen.

Kristian Marku dyshohet të ketë qenë i përfshirë në një përplasje të mëparshme mes fiseve, pasi ka qëlluar me armë ndaj Saimir Recit. Gjithashtu, lidhja familjare e tij si nipi i Martin Bardhit, i vrarë në vitin 2023, ka shtuar dyshimet se ngjarja e fundit mund të jetë pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh.

Policia ka kryer kontrolle intensive gjatë natës në disa banesa në zonën e Rrëshenit, ku janë shoqëruar katër persona për të dhënë dëshmi. Hetimet janë përqendruar në konfliktet e hershme mes dy fiseve, të cilat janë përshkallëzuar në vite.

Autoritetet po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës mes fiseve të përfshira. Banorët e zonës kanë shprehur shqetësimin për pasojat e hakmarrjes dhe u bëjnë thirrje institucioneve që të vendosin qetësinë dhe sigurinë në komunitet.