Detaje tronditëse janë zbuluar nga hetimet për vrasjen e Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë në një pus në zonën e Longianos, në Itali. Një 29-vjeçar italian ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për borxhe që lidhen me lëndët narkotike.

“E bëra unë”, mësohet të ketë deklaruar i riu nga zona e Cesenës përpara hetuesve italianë, duke pranuar përfshirjen e tij në vdekjen e shqiptarit.

Viktima, i cili punonte si bojaxhi dhe jetonte në Gatteo a Mare, ishte zhdukur në mënyrë misterioze që prej mbrëmjes së 8 tetorit. Atë ditë, ai kishte dalë nga banesa duke i thënë bashkëshortes se do të shkonte në një lokal dhe se do të kthehej më vonë. Por 31-vjeçari nuk u kthye më, duke lënë pas gruan dhe vajzën e tyre vetëm njëvjeçare.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Maxhallaku ishte takuar me 29-vjeçarin italian në banesën e këtij të fundit. Mes tyre dyshohet se ka shpërthyer një debat i ashpër, i cili më pas ka përfunduar tragjikisht.

Hetuesit dyshojnë se në qendër të konfliktit kanë qenë borxhet e konsiderueshme që i riu italian kishte krijuar për shkak të përdorimit të drogës. Gjatë përplasjes, ai dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar për vdekje shqiptarin.

“Kam pasur frikë për veten dhe familjen time, jam ndier i kërcënuar”, mësohet të ketë thënë 29-vjeçari gjatë dëshmisë së tij, duke u përpjekur të shpjegojë rrethanat që çuan në krim.

Pas vrasjes, sipas rrëfimit të të dyshuarit, ai ka humbur kontrollin dhe ka vendosur të fshehë trupin e viktimës. E ka transportuar atë drejt një zone me fusha në Longiano, ku më pas e ka hedhur në një pus.

Por përpjekjet për të zhdukur gjurmët dyshohet se nuk kanë përfunduar këtu. Hetuesit besojnë se 29-vjeçari i ka vënë flakën edhe automjetit të Maxhallakut, me qëllim që të pengonte zbulimin e krimit.

Trupi i shqiptarit u gjet të mërkurën, duke i dhënë fund kërkimeve për 31-vjeçarin, por njëkohësisht duke hapur një kapitull të ri në hetimet për vrasjen e tij.

Aktualisht, i dyshuari ndodhet në ambientet e karabinierëve në Savignano, ndërsa pritet të transferohet në burgun e Forlit. Ai do të qëndrojë në pritje të seancës gjyqësore për vleftësimin e ndalimit.

Ndërkohë, autoritetet italiane pritet të urdhërojnë kryerjen e autopsisë, e cila do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes dhe në verifikimin e dëshmisë së dhënë nga 29-vjeçari.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, motivin e konfliktit dhe mënyrën se si u krye krimi që i mori jetën babait të një vajze njëvjeçare.