Detaje të reja kanë dalë në dritë pas vrasjes së 45-vjeçares shqiptare Lulieta Obzova në Athinë, ndërsa familjarët e saj kanë treguar për frikën që ajo kishte përjetuar nga ish-partneri i saj, 50-vjeçari Altin Allmuça.
Vëllai i viktimës ka deklaruar për mediat greke se Allmuça e kishte kërcënuar edhe më herët dhe se në një rast kishte nxjerrë armë. Sipas tij, ai i kishte këshilluar motrën të kërkonte ndihmë ligjore dhe të merrte një urdhër mbrojtjeje.
Familjarët kanë treguar se pas ndarjes, sjellja e 50-vjeçarit ishte përshkallëzuar. Ai dyshohet se e ndiqte dhe e monitoronte 45-vjeçaren, ndërsa shfaqej herë pas here në mënyrë të papritur në jetën e saj.
Një tjetër detaj që po hetohet lidhet me banesën e viktimës. Sipas vëllait të saj, Allmuça dyshohet se kishte një çelës rezervë dhe hynte në shtëpi gjatë kohës që Lulieta ndodhej në punë. Ajo kishte vënë re se disa sende nuk ndodheshin më aty ku i kishte lënë dhe, rreth dy javë para vrasjes, vendosi të ndryshonte bravat.
Krimi ndodhi në orët e para të mëngjesit. Sipas hetimeve paraprake, Allmuça dyshohet se e priti viktimën pranë pallatit ku banonte. Kur ajo mbërriti, ai e sulmoi dhe më pas e qëlloi me armë zjarri. Pas vrasjes, 50-vjeçari vrau veten.
Tashmë hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse kishte sinjale të mëparshme që mund të kishin paralajmëruar për rrezikun ndaj 45-vjeçares.
Sipas informacioneve të deritanishme, Lulieta nuk kishte bërë një denoncim zyrtar për kërcënimet apo përndjekjen që, sipas familjarëve, kishte përjetuar. Megjithatë, në të dhënat e policisë rezulton një incident i korrikut 2024, kur ajo kishte kontaktuar Departamentin e Policisë së Akropolit për të raportuar vjedhjen e motoçikletës nga një ish-partner.
Autoritetet greke po verifikojnë tashmë të gjitha dëshmitë, të dhënat policore dhe provat e mbledhura për të zbardhur nëse kishte pasur paralajmërime të mëparshme dhe nëse tragjedia mund të ishte parandaluar.
