Detaje të reja janë zbardhur nga policia e Vlorës lidhur me vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, ndodhur një ditë më parë.
Një prej kamerave të sigurisë pranë banesës ka kapur pamjet e autorit të dyshuar, i cili ishte kamufluar me kapelë dhe shall për të fshehur fytyrën. Sipas informacioneve, autori kishte ardhur nga kodra pas banesës së viktimës dhe është larguar sërish në të njëjtën drejtim, në zonën e Kuzum Babasë.
Në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja të një arme zjarri të llojit pistoletë 9 mm. Renato Hoxhaj kishte marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup.
Grupi hetimor po vazhdon të mbledhë pamje nga kamerat e sigurisë në zonën përreth me qëllim identifikimin e autorit. Deri më tani janë shoqëruar tetë persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar konkretisht hetimet.
Bashkëjetuesja e viktimës ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm që Hoxhaj mund të kishte. Ajo ka dëgjuar të shtënat, por fillimisht i ka interpretuar si fishekzjarre.
Ndërkohë, policia po heton të kaluarën e 58-vjeçarit, i cili rezulton të mos ketë qenë i skeduar më parë si person problematik për ligjin.
