Gjykata e Lezhës ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka dërguar për gjykim portugezin Ruben Saraiva, i vënë nën akuzë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.
Ndaj 30-vjeçarit portugez Prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzat “vrasja për gjakmarrje”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtja pa leje”, teksa tashmë do të jetë gjykata e cila do të vendosë, nëse kjo çështje do të kalojë për gjykim themeli apo do të kthehet për plotësim hetimesh.
Portugezi Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgimin e Tiranës, në pritje për t’u përballur me drejtësinë shqiptare, ndërsa në vazhdimësi e ka mohuar që të ketë lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.
Për krimin, të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë që ndihmuan, si dhe i dyshuari Edmond Haxhia, si organizator dhe porositës i vrasjes me motive gjakmarrjen. Ardian Nikulaj u ekzekutua më 19 prill 2023 në Shëngjin, në ambientet e lokalit të tij ‘Coral’, në hotelin buzë detit.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt ky që ndër vite (që nga 1997) ka shkaktuar bilanc me shumë viktima.


