Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar ka pranuar apelin e Shqipërisë për ekstradimin e personave të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në lokalin e tij në vitin 2023 në Shëngjin. Në mesin e personave të kërkuar është Edmond Haxhia, i dyshuar si organizator dhe porositës i vrasjes, si dhe katër shtetas britanikë, Harry Simpson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman, të dyshuar si vëzhgues të Nikulajt para atentatit.
Shqipëria kërkoi ekstradimin e tyre drejt vendit tonë, por procedura u komplikua pas një gabimi të autoriteteve britanike në përcaktimin e akuzave. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë britanike rrëzoi urdhrat e ekstradimit. Shqipëria dhe Ministri i Brendshëm britanik apeluan vendimin në Gjykatën Supreme, e cila tashmë ka pranuar çështjen për shqyrtim.
Ndërkohë, portugezi Ruben Saraiva, i dyshuar si ekzekutori i Nikulajt, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lezhës. Ky apel pritet të përcaktojë nëse Haxhia dhe shtetasit britanikë do të mund të ekstradohen në Shqipëri për t’u përballur me akuzat.
