Gjykata e Asizës në Bruksel ka dënuar me 25 vite burg Franc Çopjan (Gergely), bosin e mafies, për vrasjen e Ardit Spahiut, të ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek, Belgjikë. Sipas vendimit të gjykatës, Çopja e ka urdhëruar vrasjen nga Dubai.

Si porositës i dytë, Mikael Qosja u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa ekzekutori i atentatit, Flobenc Meçja, mori gjithashtu dënim të përjetshëm. Gjykata ka dënuar gjithashtu Elton Roçin me 20 vjet burg, Elvis Muratajt me 8 vjet dhe Eljo Bitrin me 5 vjet. Ky i fundit ka bashkëpunuar me drejtësinë që nga nëntori 2023 dhe është përfshirë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve. Dënimi më i lehtë për Bitrin erdhi për shkak të pranimit të fajësisë dhe bashkëpunimit me hetuesit.

Gjatë gjykimit, Çopja kërkoi “mëshirë” për dënimin, duke thënë se ishte i ri dhe se kërkonte vetëm “mëshirë” për veprat e tij.

Si ndodhi vrasja
Ardit Spahiu, 38 vjeç, u largua nga Shqipëria në vitin 2019, duke kërkuar siguri në Belgjikë për shkak të konflikteve mes grupeve rivale kriminale në vendlindje, përfshirë klanin Çopja dhe familjen Alibej, të përfshira në trafik droge. 

Më 27 nëntor 2020, Spahiu u qëllua me armë zjarri sapo doli nga një lokal në rrugën Condor në Molenbeek. Ai u godit nëntë herë dhe humbi jetën në vendngjarje.

Hetimet dhe ekstradimi
Zbardhja e ngjarjes u bë e mundur pas çmontimit të Sky ECC në qershor 2021, që ndihmoi hetuesit të identifikonin të përfshirët.

Franc Çopja u ekstradua në Belgjikë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në dhjetor 2023. Ai kishte deklaruar se ishte vendosur në Dubai për t’u marrë me tregti tekstilesh dhe automjetesh.

Në total, gjashtë persona u shpallën fajtorë nga juria e Asizës së Brukselit si autorë ose bashkëautorë të vrasjes së Ardit Spahiut.