Gazeta prestigjioze kolumbiane El Tiempo ka publikuar detaje të reja tronditëse mbi ekzekutimin e shqiptarit Artur Tushi, i njohur me nofkën “Qoti”, i cili u vra me 11 plumba pranë qendrës tregtare Santa Fe në qytetin kolumbian të Medellinit.
44-vjeçari me origjinë nga fshati Raboshtë i Lezhës rezulton të ketë qenë nën hetim në disa shtete, përfshirë Spanjën, Italinë dhe Ekuadorin vendin e pasaportës që mbante në momentin e ngjarjes. Sipas mediave vendase, edhe pse Tushi nuk kishte precedent penal në Shqipëri, ai dyshohej për përfshirje në aktivitete të paligjshme ndërkombëtare dhe ishte rrëmbyer më parë në vitin 2017, rast gjatë të cilit iu vodhën 200 mijë lekë.
Hetimet e koordinuara nga Interpol-i kanë zbuluar se emri i Tushit del në disa dosje penale jashtë vendit, që lidhen me dhunë fizike dhe posedim droge. Sipas burimeve, vrasja e tij dyshohet të jetë rezultat i përplasjeve mes grupeve të krimit të organizuar ndërkombëtar.
Autoritetet kolumbiane kanë identifikuar si autor të atentatit një 35-vjeçar venezuelian me precedent penal për dhunë dhe trafik droge. Ai dyshohet se ka vepruar si vrasës me pagesë, ndërsa pagesa për krimin mendohet të jetë bërë në dollarë detaj që përforcon pistën e përfshirjes së rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Ngjarja, e ndodhur në një nga zonat më të frekuentuara të Medellinit, ka tronditur opinionin publik në Kolumbi dhe ka rikthyer në vëmendje praninë e strukturave europiane të krimit të organizuar në Amerikën Latine. Autoritetet kolumbiane po bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për të zbardhur të gjitha lidhjet e Tushit me këto rrjete.