Shoqata Europiane e Gjyqtarëve (EAJ), e cila përfshin edhe Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, ka reaguar pas ngjarjes tronditëse ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda ambjenteve të gjykatës. Në një rezolutë të publikuar së fundmi, organizata më e madhe e gjyqtarëve në Evropë bën thirrje për një reflektim serioz dhe ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet shtetërore shqiptare.

EAJ thekson se organet shtetërore kanë detyrim kushtetues dhe ligjor për të garantuar një klimë të sigurt pune për gjyqtarët, si kusht thelbësor për një sistem drejtësie të pavarur dhe funksional.

“Siguria e gjyqtarëve nuk është privilegj, por garanci për drejtësinë. Ngjarje të tilla minojnë jo vetëm integritetin e sistemit gjyqësor, por edhe besimin e publikut te shteti ligjor,” thuhet në rezolutë.

Ngjarja që çoi në vrasjen e gjyqtarit Kalaja tronditi opinionin publik për shkak të mënyrës së rëndë dhe të pazakontë të ekzekutimit. Autori, Elvis Shkambi, qëlloi me armë brenda sallës së gjyqit një nga vendet që konsiderohen më të sigurta në një shtet ligjor duke vrarë gjyqtarin në vend dhe duke plagosur dy persona të tjerë.

Shoqata kërkon nga autoritetet shqiptare të rishikojnë me urgjencë masat e sigurisë në gjykata dhe të garantojnë mbrojtje efektive për gjyqtarët në ushtrimin e detyrës së tyre.