Gjykata e Apelit në Bolonjë ka vendosur të ulë nga 17 në 15 vjet dënimin ndaj të miturit që ishte 15 vjeç në kohën e ngjarjes, i dënuar për vrasjen e 13-vjeçares Aurora Tilës.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza, ku e mitura humbi jetën pasi ra nga ballkoni.

Vendimi i Apelit është marrë pasi gjykata njohu rrethana të përgjithshme lehtësuese dhe vendosi ekuivalencë mes rrethanave lehtësuese dhe atyre rënduese.

Familja e viktimës ka reaguar me zhgënjim ndaj vendimit. Avokati Emilio Malaspina, që përfaqëson nënën e Aurora Tilës, Morena Corbellini, deklaroi se familja është veçanërisht e pakënaqur me uljen e dënimit.

Nëna e 13-vjeçares ka kritikuar ashpër sistemin e drejtësisë, duke shprehur shqetësimin se dënime të tilla mund të mos shërbejnë si parandalim për raste të ngjashme.

Ndërkohë, sipas mediave italiane, Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar një dënim prej 15 vjetësh e 6 muajsh, duke marrë në konsideratë rrethanat lehtësuese dhe gjykimin me procedurë të shkurtuar.

Sipas Prokurorisë, dënimi fillestar prej 17 vitesh ishte përllogaritur mbi një dënim bazë prej 25 vitesh, ndërsa sipas saj baza e saktë duhej të ishte 24 vite.