FIER – Vijojnë shoqërimet për vrasjen e biznesmenit Demir Backa në Fier. Në bazë të informacioneve të policisë se mes 57-vjeçarit dhe Arben Isufit i njohur me nofkën Ben Qimja, kohë më parë ka pasur një konflikt për motive të dobëta, policia ka kërkuar ta shoqërojë për ta pyetur.

Sipas news24, policia ka shkuar 3 herë në banesën e tij, por nuk e ka gjetur. Familjarët kanë deklaruar për policinë se ai është me punë në kryeqytet. Policia i ka lënë një fletëthirrje që ai të paraqitet në polici për të treguar se ku ka qenë mbrëmjen e 23 tetorit, ndërsa ende nuk është paraqitur.

Demir Backa u vra mbrëmjen e së shtunës, 23 tetor teksa ndodhej në makinën e tij në parkingun e një qendre tregtare. Plot 18 plumba u zbrazën mbi të, teksa pak minuta pas krimit autorët dogjën një automjet në dalë të Fierit. Policia ka shoqëruar deri tani disa persona, por ende pa gjurmë të sakta të autorëve të krimit.

Pistat e hetimit

Mësohet se një prej pistave është dhe konflikti i biznesmenit Backa me një tjetër person, djali i të cilit ka ngacmuar pak kohë më parë mbesën e viktimës.

Pista tjetër lidhet me vrasjen e motrës së viktimës në vitin 1998, por edhe përfshirja e viktimës në një konflikt për tokën me banorët e zonës në bregdetin e Darzezës.