Pas afro dy vitesh proces gjyqësor në Gjykata e Lezhës, Prokuroria ka paraqitur sot pretencën për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj.

Seanca gjyqësore zgjati rreth një orë, gjatë së cilës organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Saraivën. Sipas Prokurorisë, ai është autori i vrasjes së ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin, ngjarje që tronditi opinionin publik.

Referuar dosjes hetimore, i pandehuri akuzohet për veprat penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Krimi ndodhi brenda ambienteve të një lokali në Shëngjin, ku Nikulaj u qëllua për vdekje. Sipas akuzës, ngjarja ishte e organizuar dhe e planifikuar në detaje, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet kyç në ekzekutimin e saj.

Në seancat e mëparshme janë paraqitur prova materiale, dëshmi dhe ekspertiza që, sipas Prokurorisë, provojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje të rëndë. Vendimi i gjykatës pritet të shpallet në vijim.