Policia pyet një biznesmen për bisedën para vrasjes. Dëshmitarët heshtin. Familjarët: Dyshimet tona


Silvana Muça


vrasja-ne-tiraneVrasja e Hikmet Kotorrit, mbrëmjen e së dielës, para banesës së tij, ende nuk ka një autor dhe motiv zyrtar. Pavarësisht kësaj, policia vazhdon që t’i mëshojë pistës së konflikteve të biznesmenit në sektorin e ndërtimeve. Grupi hetimor shpresoi se një telefonatë që viktima ka bërë gjatë momentit kur ndodhi atentati, do të zbardhte ngjarjen, apo motivin. Personi që e telefonoi është identifikuar si një biznesmen ndërtimi nga zona e Kukësit dhe që ka pasur lidhje miqësie me të ndjerin. Menjëherë pas zbardhjes së telefonatës mes palëve, policia shoqëroi biznesmenin kuksian, por më pas e ka lënë të lirë. E gjithë kjo histori i ktheu hetimet në pikën e fillestare.


 


Dëshmitarët heshtin


Grupi hetimor, i angazhuar në zbardhjen e vrasjes këmbëngul në pistën kryesore që kanë të bëjnë me biznesin e ndërtimeve të 44-vjeçarit. Pas ekzekutimit, Policia e Tiranës ka shoqëruar mjaft persona të cilët dyshohet se kanë pasur konflikte me viktimën, por i la të lirë për mungesën e provave inkriminuese. Një pistë e dyshuar për policinë është edhe konflikti për shitjen e një apartamenti, ku Kotorri ka qenë përfshirë indirekt. Borxhet, biznesi i karburëve në Spanjë, konfliktet për shkak të biznesit në Shqipëri, janë të tjera pista që po hetohet prej policisë. Burimet bëjnë me dije se zbardhja e vrasjes është mjaft e vështirë, sepse nuk kanë arritur që të mbledhin prova të mjaftueshme. Ndonëse në cilësinë e dëshmitarit janë shoqëruar me dhjetëra persona, askush nuk ka mundur që ta ndihmojë policinë. Burimet shprehen se dëshmitarët nuk kanë qenë në gjendje që të thonë nëse në atentat kanë marrë pjesë një apo më shumë persona. Gjithashtu identikitet e vrasësve mbeten mister dhe nuk ka ndonjë të dhënë. Dëshmitarët nuk dinë të përshkruajnë as rrugëtimin që kanë bërë vrasësit pas krimit. Rrugët kanë qenë të boshatisura prej orëve të vona kur ndodhi atentati. E vetmja kamerë sigurie që është sekuestruar nga grupi hetimor, nuk ka qenë e vlefshme. Errësira dhe vendndodhja e saj, shumë larg skenës së krimit, e kanë lënë në baltë policinë. Ato janë shumë të paqarta prej errësirës.


 


Të afërmit


Të afërm pranë biznesmenit, kurrsesi nuk pranojnë që të flasin për problemet që ai ka pasur në të shkuarën. Disi në ajër, hedhin nga një “shashkë”, për lidhjet që ai ka pasur me politikën. “Kam dëgjuar nëpër njerëz që Hikmetin e kanë vrarë për çështje politike. Ai ka qenë aktivist me një forcë politike, por jo ndonjë person që ka pasur ambicie për deputet. Gjithsesi nuk besoj që kjo të ketë lidhje me vrasjen e Metit. Janë fjalë njerëzish”, shprehen njerëz pranë familjes Kotorri.


 


Ngjarja


Hikmet Kotorri u vra mbrëmjen e së dielës para banesës së tij. Babai i tre fëmijëve u nda nga jeta disa minuta pasi mbërriti në Spitalin Ushtarak, prej plagëve të marra në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të 44-vjeçarit pesë herë. Në momentin që e kanë parë Kotorrin të shtrirë për tokë janë larguar me idenë se e përmbushën qëllimin. Ata kanë ndjekur çdo lëvizje të biznesmenit dhe para pallatit në rrugën “Ali Visha”, Tiranë, i kanë zënë pritë, për ta ekzekutuar në një distancë të afërt. Rrugët e pandriçuara dhe të papopulluara i kanë ndihmuar vrasësit që të largohen, pa u vënë re nga dëshmitarët. Paraprakisht policia dyshon se Kotorri është vrarë për motive pronësie apo prishje pazaresh në biznesin e ndërtimit. E vetmja provë që policia posedon janë gëzhojat e pistoletës të gjetura në skenën e krimit. Ato u dërguan në laboratorin e balistikës, për ekzaminime. Paraditen e së martës, 44-vjeçari është dërguar në banesën e fundit, duke lënë pas shumë mistere.