Gjelosh Krasniqi, një nga personat e shpallur në kërkim për vrasjen e Briken Sanajt, ngjarje e ndodhur më 30 tetor në zonën e njohur si Kodra e Diellit në Tiranë, është vënë në pranga. Arrestimi i Krasniqit është bërë një natë më parë në Pejë. Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë ka bërë me dije se bashkë me Krasniqin është arrestuar dhe personi që e ka strehuar të riun që akuzohet se i kishte siguruar makinën, të cilën Kola e përdori në ekzekutimin e Sanajt.
“Mbrëmë nga puna operative është arritur të arrestohet një person (me urdhër arrest ndërkombëtar) i cili dyshohet se ka qenë i përshirë vitin e kaluar për një vrasje në Shqipëri. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari Gj.K., është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor ndaj tij do parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e paraburgimit. Për procedurat e mëtutjeshme rreth këtij rasti ju lutem i drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë,”- tha Shkodran Nikçi.
Tashmë, në kërkim nga policia është Vladimir (Valmir) Kola, në rolin e ekzekutorit dhe Kened Antoni 25 vjeç, lindur e banues në Pejë. Ky i fundit ka sjellë mjetin bashkë me Gjeloshin që u arrestua sot. Në kërkim për këtë krim është shpallur edhe Agustin Kola, vëllai i autorit, i cili ndodhet në Spanjë, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për ngjarjen. Valmir Kola dyshohet se tre ditë pasi ka kryer krimin, është larguar sërish drejt Belgjikës.
Sipas policisë, vrasja e Briken Sanajt është kryer për hakmarrje, për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i tij, Antonio alias Renato Sanaj. E gjitha, pas një sherri të nisur për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën, vëllain e Valmirit. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe vëllezërit Sanaj kishin ikur nga Shqipëria për të nisur një jetë të re në Itali.