Vladimir (Valmir) Kolën, i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Briken Sanajt, është ekstraduar nga Gjermania.

42-vjeçari u arrestua në Gjermani në muajin prill 2024 pasi akuzohet për ekzekutimin e Briken Sanajt, krim i ndodhur më 30 tetor 2022, në kompleksin “Kodra e Diellit”. Ndaj tij, Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 23 nëntor 2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Briken Sanaj u ekzekutua me tre plumba kallashnikovi fare pranë banesës së tij në lagjen “Kodra e Diellit” në kryeqytet, më 30 tetor 2022. Autori e priti derisa ai po kthehej nga një gëzim familjar në qytetin e Lezhës.

Ai paraqitej në rezidencë me emrin e kushëririt të tij, i cili u martua po atë ditë. Briken Sanaj, që në vogëli njihej me emrin Skerdilajd, ishte kthyer nga Italia pak kohë para se të ekzekutohej. Vëllai i viktimës, Antonio alias Renato Sanaj, plagosi 13 vite më parë Gentian Kolën, i cili prej asaj kohe mbeti invalid. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme.

Njoftimi i policisë:

I akuzuar për vrasje me paramendim, në vitin 2022, ekstradohet nga Gjermania, 42-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar. 42-vjeçari u arrestua në Gjermani, në muajin prill 2024, gjatë operacionit të koduar “Versus”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë.

Në kuadër të bashkëpunimit të Interpol Tiranës, me Interpol Wiesbaden, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri, shtetasi: V. K. alias V. K., 42 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 23.11.2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ky shtetas dyshohet se më datë 30.10.2022, në kompleksin “Kodra e Diellit”, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin B. S.