Prokuroria e Gjirokastrës ka kërkuar dënimin me 30 vite burg për Thoma Mastorën, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortëve Kosta dhe Kleoniqi Ilia, krim i ndodhur më 2 maj 2024 në fshatin Bodrishtë të Dropullit.

69-vjeçari po gjykohet për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa kërkesa e organit të akuzës u paraqit gjatë seancës së radhës gjyqësore.

Gjatë procesit, mbrojtja e Mastorës ka kundërshtuar akuzat, duke kërkuar trajtim më të lehtë për klientin e saj. Avokati ka hedhur poshtë edhe pretendimet e ngritura më herët se i pandehuri vuan nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa ka këmbëngulur se ai nuk ka lidhje me ngjarjen. Megjithatë, sipas hetimeve, prokuroria disponon prova që, sipas saj, e implikojnë Mastorën në vrasjen e dy të moshuarve.

Nga hetimet rezulton se Thoma Mastora kishte marrëdhënie të afërta me çiftin dhe ishte personi i fundit që i kishte vizituar para se ata të gjendeshin të pajetë. Më 30 prill ai kishte shkuar në banesën e tyre, një vizitë që, sipas dëshmive, e kryente shpesh.

Hetuesit dyshojnë se konflikti fillimisht ka nisur me Kostën Ilia, ndërsa bashkëshortja e tij, Kleoniqi, mund të jetë vrarë për të eliminuar një dëshmitare të mundshme. Megjithatë, motivi i krimit ende nuk është zbardhur plotësisht.

Një nga provat e rëndësishme të administruara në vendngjarje ishte një gotë raki e lënë mbi tavolinën në oborrin e banesës, pranë vendit ku u gjet trupi i pajetë i 84-vjeçarit.

Sipas dëshmive të mbledhura gjatë hetimit, 88-vjeçarja Kleoniqi Ilia kishte shprehur prej kohësh shqetësim te familjarët për praninë e shpeshtë të Mastorës në banesën e tyre, megjithëse nuk kishte sqaruar arsyet.

Autoritetet kanë bërë të ditur se, ndonëse i pandehuri kishte precedentë penalë dhe ishte dënuar më parë për vepra të ndryshme, në këtë rast nuk dyshohet për grabitje. Sipas hetimeve, paratë dhe sendet me vlerë që ndodheshin në banesën e çiftit nuk u prekën, duke përforcuar dyshimet se motivi i krimit nuk lidhej me përfitimin material.