Tre persona dyshohet se kanë marrë pjesë në atentatin ndaj Klajdi Prendit, djalit të ish-gjyqtarit Fran Prendi, por vetëm njëri prej tyre ka qëlluar ndaj 30-vjeçarit me pistoletë me silenciator.
Klajdi Prendi u qëllua sapo kishte hipur në makinën e tij, pasi kishte dalë nga një lokal në rrugën “Xhanfize Keko”.
Pas krimit, tre autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, më pas kanë kaluar në rrethin e Shkozës dhe prej aty pranë liqenit të Farkës kanë djegur një makinë, tip Audi A4 ngjyrë gri. Pasi i kanë vënë zjarrin makinës, ata dyshohet se janë larguar me një tjetër automjet, që i priste në zonën e Farkës.
Ndërkohë mësohet se viktima ka pasur precedentë të mëparshëm, pasi në zgjedhjet e fundit është shpallur në kërkim, pasi qëlloi në ajër me armë zjarri në Pukë.
“Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën ‘Xhanfize Keko’, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip ‘Audi’.
Një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.”- njoftoi policia mbi ngjarjen.