Shtatë persona janë shoqëruar sot në Manës, pasi dyshohet se mund të japin detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Kamerieri ka treguar versionin e tij mbi ngjarjen, teksa në dëshmi tha se sherri ka nisur për një kafe.

“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1.30 dhe ka kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë. Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah dhe nisi debati mes tyre. Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”- tregon kamerieri.

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa së bashku me Arianit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamarierit të lokalit që t’i bënte një kafe. Kamarieri i është përgjigjur se ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe.

Më pas, Danieli i ka kërkuar që ta ndezë ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamarierit të cilin e njihte. Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë që t’i nuk mund ta fyesh, pasi kamarieri është ulur në tavolinë me mua.

Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi, i cili ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin. Vrasjet të dyja jashtë lokalit, pas nisjes së sherrit brenda në lokal.