Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur “burg pa afat” për 25-vjeçarin Leonard Nika, i cili akuzohet si bashkautor në vrasjen e Frederik dhe Jurgen Markut, të ekzekutuar pesë ditë më parë pranë spitalit të qytetit. Megjithëse Nika ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, togat e zeza kanë vlerësuar si të ligjshëm masën e marrë ndaj tij duke vendosur që ai të qëndrojë në burg deri në fund të hetimeve.
Ndërkaq policia e Shkodrës vijon punën për kapjen e autorit të ngjarjes, që është identifikuar dhe shpallur në kërkim, si dhe të personave që dogjën shtëpinë e familjes Marku, në Theth.
Vrasja e dyfishtë
Tragjedia në familjen Marku ka ndodhur për një motiv krejt banal. Sherri ka nisur nga një konflikt i çastit mes viktimës dhe autorëve, për pluhurin që ngrinte makina. Autorët e ngjarjes që janë nga Dukagjini, por banues në Shkodër, kanë qenë atë ditë në Theth për një drekë, por në hyrje të fshatit janë ndalur nga Frederik Marku, i cili bashkë me të birin u kanë thënë tre të rinjve që të ulin shpejtësinë e makinës, se po ngrinin pluhur. Më pas, mes palëve ka nisur debati, ku babë e bir, Frederik dhe Jurgen Marku, kanë goditur me mjete të forta tre personat që ishin në makinë. Pas kësaj, tre të rinjtë, kanë shkuar te lokali ku kishin porositur drekën, kanë paguar dhe janë nisur për në Shkodër.
Palët janë shoqëruar në polici ku kanë qendruar për disa orë, por vetëm dy orë pasi kanë dalë nga komisariati, babë e bir janë qëlluar nga dy persona që lëviznin me motor. Frederik Marku gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa i biri, Jurgeni, ndërroi jetë dy ditë më pas në spitalin e Shkodrës. Në të njëjtën ditë që u shënua viktima e dytë në familjen Marku, policia e Shkodrës njoftoi se ishte djegur shtëpia e tyre, tip alpine, që kishin në Theth.
3 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)