Edmond Sula, i cili u vra mbrëmjen e së shtunës pranë banesës së tij në Vorë, rezulton të ketë ndërruar emrin e tij para disa vitesh. Sipas burimeve, pistat ku po hetohet vrasja e tij janë dy.
E para lidhet me konfliktet për pronat. Dhe e dyta me një ngjarje të ndodhur rreth 10 vite më parë në Tiranë, ku Sula ka qenë dëshmitar në vendin e ngjarjes.
Burime të sigurta thonë se ngjarja mund të lidhet për shkak të dëshmisë që 50-vjeçari ka dhënë asokohe në lidhje me ngjarjen.
Sula u vra me një plumb, gëzhoja e të cilit nuk u gjet në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve, vrasja ka qenë e mirëorganizuar, pasi autori nuk ka lënë thuajse asnjë gjurmë pas.
Janë marrë në pyetje edhe familjarët, të cilët thanë se kanë dëgjuar vetëm një të shtënë mbrëmjen e vrasjes.
Ata kanë thënë se nuk kanë pasur probleme me askënd dhe se 50-vjeçari shprehte ndonjëherë ndonjë debat për punën, por jo të ketë pasur diçka serioze.
