Gjykata e Korçës ka vendosur të zbutë masën e sigurisë për Leonidha Guçen dhe Denis Meçen, të arrestuar për vrasjen e Eglantin Progës në Pogradec. Pas 15 muajsh në paraburgim, ata janë liruar nga qelia dhe janë vendosur në “arrest shtëpie”, pasi afatet e qëndrimit në paraburgim kanë përfunduar.

Hetimet e Prokurorisë së Korçës vijojnë, ndërsa prokurorët janë ende në pritje të akt-ekspertimit, pas zbardhjes së pamjeve filmike që rezultuan të fshira. Çështja, e cila fillimisht u dërgua për gjykim, u rikthye për rihetim pas dëshmisë së Denis Meçes, një nga të pandehurit. Tashmë, hetuesit po presin përfundimin e ekspertizës që po kryhet në një laborator kompjuterik në Itali, në përpjekje për të rikthyer pamjet e humbura dhe për të qartësuar rolin e të dyshuarve.

Vrasja e Elgi Progës në gusht të vitit të kaluar, një ngjarje e rëndë që tronditi Pogradecin, çoi në arrestimin e Guçes dhe Meçes, të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Hetimet janë ende në fazë të avancuar dhe pritet që ekspertiza të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.