Procesi paraprak për çështjen e vrasjes së Egli Progës vijon të mbetet pa një vendim për mënyrën se si do të zhvillohet gjykimi. Seanca e mbajtur këtë të hënë zgjati mbi dy orë, ndërsa pesë personat e marrë të pandehur kanë kërkuar aplikimin e gjykimit të shkurtuar.
Denis Meçe, ndaj të cilit është ngritur akuza për vrasje të kryer në bashkëpunim, ka paraqitur gjithashtu kërkesë që dosja e tij të ndahet nga ajo e katër të pandehurve të tjerë. Krahas veçimit të çështjes, ai ka kërkuar që procesi ndaj tij të zhvillohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Edhe katër të pandehurit e tjerë kanë kërkuar të përfitojnë nga e njëjta procedurë.
Gjykata nuk dha një vendim për kërkesat gjatë seancës, duke e shtyrë shqyrtimin e çështjes për në muajin tetor. Shkak për shtyrjen është bërë kompleksiteti i dosjes, raporton gazetarja Lorena Kodra.
Në seancën e ardhshme pritet që gjykata të shprehet mbi kërkesat e të pandehurve dhe të vendosë nëse procesi do të vijojë me gjykim të zakonshëm apo me procedurën e shkurtuar.
