“Arrest shtëpie” për Alban Trimin, akuzohet se fshehu pistoletën e viktimës
Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për Alban Trimin, ish-shefin e Antidrogës që u akuzua për fshehje provash, gjatë vrasjes së Elton Çicës në një lokal në ish-bllok. Me një vendim të togave të zeza të gjykatës supreme, u vendos që Trimi të qëndrojë në “arrest shtëpie” dhe jo brenda qelisë, ku ndodhej deri sot. Ai i kishte apeluar vendimet e mëparshme, që e detyronin të qëndronte në arrest me burg, për shkak se gjatë vrasjes së Çicës, ai u akuzua se fshehu çantën e viktimës, ku brenda saj besohej se ishte një pistoletë.
Çica u ekzekutua me pistoletë para disa muajsh në brendësi të lokal “De Niro” në ish-bllok, teksa ndodhej në shoqërinë e Alban Trimit, një ish-shef antidroge dhe oficer karriere, me disa funksione të mëparshme pranë Policisë së Shtetit. Bashkë me ta ishte edhe mjeku Redjan Rraja, i cili gjithashtu u akuzua për fshehje provash dhe ende vijon të qëndrojë në burg.
Ndërkaq, me këta tre persona ndodhej edhe një gazetar, teksa në vendin e ngjarjes u përfol sikur ishin të pranishëm edhe disa personazhe politikë, që e mohuan më pas këtë dyshim. Çiça u vra nga dy persona, ku njëri prej tyre, personi që priste vrasësin me makinë, ishte djali i Hysni Milloshit, liderit të komunistëve pas viteve 90.
20 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)