Policia ka gjetur armën me të cilën u ekzekutua Emiljano Ramazani 1 javë më parë në Elbasan.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, policia njofton se arma u gjet në një servis në Peqin, e si pasojë janë arrestuar pronarët e servisit.
Ata janë babë e bir Albert 64, e Seit Manehasa, 37 vjeç, nga Peqini.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka vijuar intensivisht punën për grumbullimin e informacioneve dhe provave ligjore, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. R., 40 vjeç.
Si rezultat i punës së pandërprerë hetimore dhe profesionale të bërë nga specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me forcat speciale Renea, forcat “Shqiponja” dhe Policinë e Peqinit, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. M., 64 vjeç dhe S. M., 37 vjeç, lindur e banues në Peqin (babë e bir).
Pas informacioneve të grumbulluara gjatë punës hetimore se në ambientet e biznesit të këtyre shtetasve në Peqin ishte fshehur arma e krimit, është ushtruar kontroll i befasishëm dhe si rezultat, në ambientet e brendshme të biznesit, poshtë sabratorit të një makine u gjet një armë zjarri pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe nga provat shkencore ka rezultuar se arma e zjarrit e sekuestruar është arma e zjarrit pistoletë e përdorur në ngjarjen e datës 20.07.2020, në Elbasan, ku është vrarë shtetasi E. R.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.