Violand Braçellari, i akuzuar për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij Edison Adri në Lozhan të Maliqit, është larguar nga Spitali i Traumës, pasi gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.
43-vjeçari ndodhet tashmë i shtruar në spitalin e burgut pranë QSUT-s, ku do të vijojë trajtimin mjekësor nën masa të rrepta sigurie. Pas përfundimit të mjekimit, ai pritet të transferohet në një institucion të sigurisë së lartë, si burgu i Drenovës ose ai i Peqinit. Sipas të dhënave të hetimit, Braçellari dyshohet se ka përdorur municion blindëshpues gjatë sulmit me armë automatike ndaj dy efektivëve të policisë. Si pasojë e të shtënave, Enea Mekolli humbi jetën pasi mori pesë plagë, ndërsa Edison Adri mbeti i plagosur.
Nga ekspertiza e armës së sekuestruar rezulton se fishekët e përdorur ishin të tipit blindëshpues, çka sipas hetuesve ka rritur fuqinë shkatërruese të sulmit. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu se Braçellari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe se mbante vazhdimisht armë zjarri. Prokuroria e Korçës ka regjistruar ndaj tij akuzat për vrasjen e punonjësit të Policisë për shkak të detyrës, vrasje të mbetur në tentativë ndaj një efektivi tjetër, mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, si edhe kundërshtim me armë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Për këto vepra penale ai rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
Paralelisht, organi i akuzës ka nisur edhe një hetim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për të verifikuar mënyrën e organizimit të operacionit policor dhe rolin e drejtuesve të Policisë së Korçës. Në kuadër të këtij hetimi pritet të merren në pyetje disa efektivë dhe drejtues policie, mes tyre edhe drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, si dhe nëndrejtori Eduart Allushi, për të sqaruar nëse kanë pasur informacion paraprak mbi rrezikshmërinë e Braçellarit.
