SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen e vrasjes së Fatbardh Licit dhe e ka dërguar çështjen në GJKKO.
Të pandehurit për të cilët SPAK kërkon nisjen e gjykimit janë Safet Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Eria Ago. Fatbardh Lici, i vrarë rreth 7 vite më parë, dyshohet se është viktimë e përplasjes së vazhdueshme mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër.
Safet Bajri ka qenë më herët i ndaluar nga autoritetet e drejtësisë gjatë operacionit “Oaz”, të zhvilluar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, por më pas është liruar. Ai ka qenë i dënuar edhe në Belgjikë, ndërsa gjatë javëve të fundit banesa e tij në Dobraç është kontrolluar disa herë me urdhër të SPAK, në kuadër të disa procedimeve penale.
Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, pas ekzekutimit të masave të arrestit ndaj tyre, thuhej se ndaj Safet dhe Behar Bajrit dhe Asmer Bilalit rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizatat dhe grupet kriminale të strukturuara”.



