Dyzet persona janë vënë nën përgjim nga Prokuroria e Kavajës, pasi dyshohet se kanë dijeni ose lidhje direkte me atentatin e Rrogozhinës, ku mbetën të vrarë Astrit Gjepali dhe Halil Fici, ndërkohë që u plagosën dy persona të tjerë. Policia dhe Prokuroria e Kavajës kanë përqendruar hetimet në përgjimin e telefonatave të personave që dyshohet se kanë pasur gisht në ngjarje. Për gjatë këtyre katër ditëve, prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Kavajës me rreth 40 kërkesa për autorizim përgjimi, të 40 personave. Emrat e listuar në dokumentin policor, kanë të bashkëlidhur dhe numrat telefonikë. Të gjithë personat që kërkohet të përgjohen janë me precedentë penalë dhe qendrën e banimit e kanë në Kavajë, Durrës dhe Lushnjë. Të gjitha kërkesave për autorizim përgjimi kanë marrë “ok” nga Gjykata e Kavajës, duke i dhënë mundësi prokurorisë dhe policisë të mbajnë nën mbikëqyrje të plotë personat e dyshuar. Qëllimi është interceptimi i bisedave telefonike ku mund të merren të dhëna që do t’i shërbejnë hetimit, pasi në rrugë operative në terren dhe drejtime të tjera nuk ka informacione bindëse, për vrasjen e Astrit Gjepalit.