Të paktën tre persona mendohet të kenë marrë pjesë në atentatin e ndodhur në Pllanë, ku i vrarë mbeti Gjovalin Prendi.

Sipas burimeve, automjeti i përdorur në këtë ngjarje dyshohet të jetë një fuoristradë (Range Rover ose Land Rover), e cila është ndaluar pranë biznesit të viktimës. Dy autorët e dyshuar, të maskuar, kanë zbritur nga automjeti dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në afërsi, në drejtim të Prendit.

Ashtu siç duket edhe nga pamjet në vendin e ngjarjes, autorët kanë qenë duke vëzhguar objektivin e tyre dhe, sapo e kanë parë te dera e lokalit, kanë hapur zjarr. Plumbat e kanë goditur viktimën në pjesën e gjoksit.

Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin edhe persona të tjerë, mes tyre dhe familjarë të viktimës.

Ndryshe nga atentatet e tjera mafioze të ndodhura më parë, deri më tani nuk është gjetur ndonjë makinë e djegur që të jetë përdorur nga autorët e dyshuar.