Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit ditën e djeshme, 6 tetor, ka marrë vëmendjen edhe të mediave të mëdha ndërkombëtare. Ky lajm i rëndë që ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar është trajtuar nga mediat më të mëdha si CNN.
Kjo e fundit ka raportuar për ngjarjen e paprecedentë, duke theksuar se sulmi ndodhi në një vend që ka ndërmarrë prej vitesh reforma të thella në drejtësi, por që përballet ende me sfida të mëdha në funksionimin e sistemit.
Sipas CNN, vrasja ka ndodhur në një moment kur tensionet lidhur me konfliktet e pronësisë, zvarritjet e proceseve dhe besimi ndaj sistemit gjyqësor janë ende të larta.
Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës u qëllua për vdekje të hënën nga një burrë i përfshirë në një gjyq, njoftoi policia shqiptare.
Astrit Kalaja, gjyqtar i njohur në sistemin e drejtësisë, u qëllua brenda sallës së gjyqit nga një i dyshuar 30-vjeçar me inicialet E.Sh. Kalaja ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit, si pasojë e plagëve të marra.
Sipas autoriteteve, autori i armatosur qëlloi edhe dy persona të tjerë të pranishëm në sallë. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia njoftoi se autori u largua me vrap nga vendngjarja, por u arrestua pak orë më vonë, ndërsa iu gjet dhe arma e përdorur në krim – një revole.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar mbi motivin e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake të publikuara në faqen e gjykatës, rezulton se çështja kishte lidhje me një konflikt prone.
Ngjarja ka ndodhur në një kontekst ku Shqipëria, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ka ndërmarrë reforma të thella në sistemin gjyqësor që nga viti 2016. Megjithatë, sistemi vijon të përballet me sfida serioze – përfshirë vonesat shumëvjeçare të mijëra çështjeve, por edhe tensionet e rritura në çështje delikate si ato të pronave.
Vrasja e gjyqtarit brenda sallës së gjyqit ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe për klimën e tensionuar që vijon të shoqërojë procese të caktuara gjyqësore në vend.