Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka patur një reagim edhe nga ish-presidenti Ilir Meta, i cili e ka konsideruar “një akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.”
“Ky krim shumë i rëndë, që meriton ndëshkim të ashpër ligjor nuk është rastësor, por rezultat i inkriminimit të Qeverisë me segmente të krimit, që ka sjellë dështimin për të garantuar rendin dhe sigurinë e jetës”, ka shkruar Meta.
Teksa i shpreh ngushëllimet familjes ai thotë se zgjimi kombëtar është mundësia e vetme për të mposhtur frikën nga krimi.
Reagimi i plotë:
“Ekzekutimi i gjyqtarit në krye të detyrës, Astrit Kalaja brenda Gjykatës së Apelit është një akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.
Ky krim shumë i rëndë, që meriton ndëshkim të ashpër ligjor nuk është rastësor, por rezultat i inkriminimit të Qeverisë me segmente të krimit, që ka sjellë dështimin për të garantuar rendin dhe sigurinë e jetës.
Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes Kalaja dhe kolegëve gjyqtarë, shpreh bindjen e thellë se zgjimi kombëtar për të mposhtur frikën nga krimi që ka kapur shtetin është e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë e jetës dhe rikthyer shtetin e së drejtës”