Ngjarja tragjike e ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka tronditur thellë sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik. Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga njëri prej pjesëmarrësve në procesin gjyqësor, Elvis Shkambi, pas shpalljes së vendimit për një çështje civile.

Ngjarja ndodhi vetëm pak çaste pasi gjyqtari Kalaja kishte shpallur vendimin për një konflikt që lidhej me kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Autori, i revoltuar nga rezultati i procesit që nuk favorizonte interesat e familjes së tij, nxori armën dhe qëlloi për vdekje gjyqtarin.

Përveç viktimës, mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë babë e bir të cilët ishin palë në konfliktin civil. Sipas burimeve për Top Channel, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të dalin nga spitali gjatë ditës së sotme.

Mësohet se djali ka marrë një plumb në krah, i cili ka hyrë dhe dalë pa dëmtime serioze, ndërsa i ati ka pësuar djegie sipërfaqësore nga përplasja, por nuk është qëlluar drejtpërdrejt me armë.

Pas krimit, autori Elvis Shkambi u dorëzua tek një patrullë policie në dalje të gjykatës. Policia e Tiranës dhe autoritetet gjyqësore kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe për të zbuluar se si një person i armatosur mundi të hyjë në sallën e gjyqit pa u ndaluar.