Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit një ditë më parë, nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, ishte jo vetëm tronditëse, por ngriti edhe pyetje të shumta mbi arsyet që mund të çojnë një individ në ndërmarrjen e një akti të tillë.
Psikologia Arjana Muça tregon se proceset gjyqësore që zgjasin për vite me radhë shkaktojnë një ngarkesë të madhe emocionale te individët që trokasin në dyert e gjykatave për të marrë zgjidhje dhe drejtësi.
“Zgjatja e gjyqeve, ngarkesa e madhe emocionale i sjell këtyre individëve atë që ne i themi varfëri emocionale, lodhje, stres pa fund, humbje durimi, konflikte herë pas here midis individëve. Të gjitha këto ngarkesa bëjnë që individi, në momentin që dëgjon vendimin, i duket i padrejtë — një vendim i padrejtë për të — dhe në një farë mënyre një fyerje e dinjitetit për kohën që ka harxhuar. Kjo pastaj sjell edhe atë hakmarrjen personale, duke menduar që është duke vendosur drejtësi, sepse gjyqtari në këtë rast nuk shihet si një njeri i sistemit të drejtësisë, por sikur të jetë një lidhje personale me rastin konkret kur jepet vendimi”, thotë Muça.
Veprimet e 30-vjeçarit, që nga marrja e armës me vete e deri te sjellja e tij pas krimit — ku në pamjet e filmuara shfaqet gjakftohtë duke u treguar ai vetë efektivëve të policisë se është personi që ka kryer vrasjen — sipas analizës së psikologes, flasin për një veprim të planifikuar.
“Po mos të harrojmë që kemi individë që vijnë nga komunitete të ndryshme dhe kultura të ndryshme të trojeve shqiptare. Kemi disa komunitete ku hakmarrja shihet si diçka e zakonshme, ku vendoset nga individi drejtësia. Është një individ i cili e ka planifikuar të gjithë veprimin që ka kryer, duke e menduar në detaje, duke marrë parasysh edhe nëse vendimi nuk do të ishte ai që është pretenduar që duhet të merrnin”, shprehet ajo.
Ngjarja e rëndë po ashtu ngre shqetësime të mëdha mbi kushtet e sigurisë brenda ambienteve të gjykatave, aty ku siguria për gjyqtarë, avokatë, punonjës e qytetarë duhet të jetë maksimale./TopChannel