Tronditja pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, vijon të ndihet fort në opinionin publik dhe në komunitetin juridik. Kalaja, me origjinë nga Shkodra, ishte transferuar në Tiranë në kuadër të reformës në drejtësi dhe po gjykonte një çështje pronësie që përfshinte palë nga qyteti i tij i lindjes. Fatkeqësisht, kjo çështje do të rezultonte fatale për të.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, në sallën e gjyqit të Apelit Tiranë, kur Elvis Shkëmbi, një prej pjesëmarrësve në proces, qëlloi për vdekje gjyqtarin Kalaja pas shpalljes së vendimit. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona, babë e bir, palë në çështje.
Mësohet se çështja kishte të bënte me një konflikt pronësie në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër, një betejë që palët kishin ndjekur prej vitesh nëpër gjykata. Në vijim të hetimeve dhe reagimeve të familjarëve, nipi i autorit, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë, ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka akuzuar ish-kryebashkiakun e Shkodrës si personin që “gatuajti këtë situatë”. Gazetarja Anila Hoxha ka ndarë një detaj prekës dhe njerëzor për gjyqtarin Kalaja. Ajo ka publikuar dy poezi/refleksione të shkruara prej tij, që dëshmojnë për një shpirt të ndjeshëm e reflektues, larg figurës formale që shumëkush mund të kishte për një gjyqtar.
“Ai nuk ishte vetëm një magjistrat. Shpesh ndante me miqtë vargje që shkruante. Këto mesazhe janë të ditëve të fundit, njëri është i datës 20 shtator, pak ditë pasi ishte bërë gjysh,” shkruan Hoxha.
Poezitë, ende të pabotuara në tërësi, flasin për kohën, drejtësinë, jeta në tranzicion, dhe përgjegjësinë që mbart një gjykatës, duke treguar qartë se Kalaja ishte më shumë sesa një figurë formale e sistemit ai ishte një njeri me ndjeshmëri, i përkushtuar ndaj fjalës dhe së drejtës.
Poezitë e Astrit Kalasë:
1- Jam bërë gjysh. Pas 14 ditesh bëra bisedën e parë me nipçen.
E thirra shoku.
Po qante.
Duke i folur e ledhatova tek koka, i fërkova gjoksin e barkun.
I thashë se je shumë i bukur. I thoja se e doja fort. i uroja qe ti dhuronin dashuri, të ishte i lumtur me babin e mamin.
Me fjalët e mia, me përkedheljet e mia, si dhe në tingujt e serenatave shkodrane e zuri gjumi.
Ishte shume bukur. Ndjeva nje lloj çlirimi shpirtëror.
Nuk do ta harroj kurrë. Falenderoj Zotin qe me dhuroi këte moment te paqtë.
Mu duk se zeri im i dha qetesi, siguri!
Mesazhi tjetër për Shkodrën, vendlindjen!
2- Për ty Shkoder shpirti jem !
Për mu Shkodër je flladi i lirisë, flladi i nderit e i krenarisë
Jam shkodran, jam i lashtë sa vete Shkodra, jam i lirë si Shkodra, jam human si Shkodra, jam i gjerë si Shkodra, di te fal e te dhuroj besim e shpresë si Shkodra.
Ne fakt cdo dite luftoj jem kështu
Këto fjale janë për Shkodrën, janë fjalë zemre.
Kujt mos ti pëlqejnë nuk ka gjë.
Unë nuk i kam shkruar për to.
I kam shkruar për ato qe e duan Shkodrën.