Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare, Ndue Pjetra, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që tronditi sistemin gjyqësor, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit.

Në një deklaratë për mediat, Pjetra shprehu ngushëllimet për familjen e gjyqtarit të ndjerë, por paralelisht ngriti shqetësimin për gjendjen alarmante të drejtësisë në vend.

“Shprehim ngushëllimet tona për humbjen tragjike të gjyqtarit Kalaja. Por, ky rast tregon qartë se drejtësia në Shqipëri ka rënë në duart e politikës. Gjyqtarët nuk janë më të mbrojtur janë kthyer në viktima të politikanëve dhe të korrupsionit,” u shpreh Pjetra.

Ai i bëri thirrje institucioneve që të marrin masa urgjente për të garantuar sigurinë e punonjësve të sistemit të drejtësisë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve tek shteti ligjor.

Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje mbi hetimet dhe masat e sigurisë në gjykata.