
Vrasja e Azem Hajdarit ka qenë pjesë e përplasjes në emisionin “E Diell” te pjesa “Rrethi Katror” në Top Channel mes Bledi Manes, Alfres Cakos, Neritan Liçajt dhe Ina Kollçakut. Ish-deputeti Alfred Cako i ftuar u shpreh se për vrasjen e Azem Hajdarit janë përfshirë edhe shërbimet sekrete. E kjon sipas tij lidhet me ngjarjet e Kosovës, ku ishin vrarë edhe Adem Jashari dhe njerëzit e tij. Ai shtoi se për vrasjet duhet të merret me pasojat dhe jo me shkaqet.
“Azemi kërkonte zgjedhje të tjera, pasi ato të 29 qershorit 1997 i konsideronte si farsë pasi PD nuk kishte marrë pjesë në disa zona, ndërsa Berisha që zbatonte ndërkombëtarët, nuk ishte i prirë t’i kërkonte ato. Azemi kërkonte që hynte ushtria në Kosovë”, tha Cako.
Ai shtoi se “vrasja u përpoq të kategorizohej si ordinere, por ishte politike, ku në fakt u përfshinë shërbime sekrete, pasi ndërhynë për të ruajtuar asetet e tyre politike”.
Ndërsa shtoi se Azem Hajdari ishte i vetmi që udhëtonte në të gjithë Shqipërisë, pasi Berisha e kishte të ndaluar të udhëtonte në jug të Shqipërisë, ndërsa Nano nuk udhëtonte në veri të Shqipërisë.
Cako, si pjesëtarë i lëvizjes studentore ka zbuluar edhe një detaj tjetër se kur ka ardhur Berisha për herë të parë në Qytetin Studenti dhe kush e shoqëronte.
“Mbaj mend kur erdhi Berisha në ditën e parë në QS, isha i madh 27 vjeç. Kishim njohje me Azemin bënin edhe humor me Azemin. Berisha erdhi nga rruga e sipërme e Qytetit Studentit, ka zbritur te menca dhe ka ardhur me Besnik Mustafain, ai ka qenë i besuar me Partinë e Punës, ai që i botoi një shkrim në muajin nëntor te gazeta “Bashkimi”, Mitro Çela dhe kryeredaktori i Zërit të Popullit, nuk po më kujtohet emri tani.”, theksoi Cako.