Gjykata e Elbasanit ka dënuar Florind Ismail Shabani me 12 vite burgim për vrasjen e ish-policit Roland Rexhepi në Elbasan

Florind Shabani i njohur si “Paçuku”, njeriu i tretë i arrestuar dhe dërguar në gjyq për vrasjen e ish-agjentit të narkotikëve në policinë e Elbasanit, Roland Rexhepit alias “Doda”, ka mbajtur një qëndrim mohues për ngjarjen, duke ngritur një alibi para grupit të hetimit. Në vitin  2009, Policia e Elbasanit identifikoi dy prej autorëve pjesëmarrës në këtë krim.

Armand Llakaj dhe Marjus Tafaj, u arrestuan më herët në 2009 dhe dënuan në vitin 2012 nga gjykata e Elbasanit, përkatësisht me 25 dhe 23 vite burgim dhe aktualisht vijojnë të qëndrojnë në burg.

Ndërsa Florind Shabani alias “Paçuku”, për herë të parë është lokalizuar dhe arrestuar në 2021 në burgun “Augsburg-Gabligen” në Gjermani, ku vuante një dënim për akuzën e “Kryerjes së Marrëdhënies seksuale me dhunë”.

Si ndodhi atentati ndaj Roland Rexhepit?

Atentati mafioz ndaj ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Policia e Shtetit e konsideronte në atë kohë vrasjen e ish-efektivit një atentat të mirorganizuar dhe të planifikuar.

Duke qenë se autorët ishin të maskuar, çka identifikimi i tyre ishte i vështirë, ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë vetëm provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.

Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e autorëve të vrasjes, pavarësisht se dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.

Nga përputhja e profilit gjenetik i gjetur në një bisht cigareje në vendin e krimit në vitin 2009, Prokuroria ka shpallur në kërkim Florenc Shabanin, duke e akuzuar si bashkëpunëtor në vrasje.