Apeli i Posaçëm ka zëvendësuar masën e sigurisë për Ilir Selmanin dhe e ka lënë atë në arrest shtëpiak. Selmani është i dënuar me 26 vite burg për ekzekutimin e mikut të afërt të Ervis Martinajt.
Më herët për vrasjen e ish-policit Malko është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta, i cili akuzohet si një person që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Malkos duke njoftuar edhe autorët për të kryer ekzekutimin. Ndërkohë Blendi Teta, i dënuar me 25 vite burg për të njëjtën ngjarje ka bërë rekurs vendimit te Gjykatës së Apelit, duke kundërshtuar vendimin e dhënë nga Apeli i SPAK. Teta u gjet fajtor nga trupa gjykuese si pjesëmarrës në ekzekutimin e Malkos mbrëmjen e 27 gushtit në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.
Për vrasjen e Malkos, prokuroria akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Por, në pranga është vënë vetëm Teta dhe Ilir Selmani.
VENDIMI
-Pranimin e kërkesës, konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për të pandehurin Ilir Selmani të lidhur me masën e sigurimit “Arrest në burg”, të caktuar me vendimin nr. 145 datë 10.10.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, verifikuar me vendimin nr.43 datë 17.04.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
-Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Ilir selmani duke urdhëruar të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në rrugën “*”, banesë private, nr. * Tiranë.
-Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi me anë të mbikëqyrjes së pa ndërprerë të qëndrimit në banesë të të pandehurit I.S.
-Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I.S dhe shoqërimi i tij për në banesë për ekzekutimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”.
-Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditësh nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
-U shpall në Tiranë, sot më datë 19.06.2026
