Ngjarja e rëndë e vrasjes së 49-vjeçarit Jani Alijat brenda burgut grek të sigurisë së lartë në Korydallos ka sjellë sërish në vëmendje dyshimet dhe kërcënimet që kanë rrethuar jetën e tij. Mediat greke raportojnë se viktima, i njohur për lidhjet e tij me botën e krimit në Shqipëri, ishte sulmuar për vdekje nga një i burgosur grek 27-vjeçar, gjithashtu i njohur si kriminel i rrezikshëm.

Sipas informacioneve të siguruara nga burimet pranë hetimit, Alijat kishte një “urdhër vdekjeje” në fuqinë e rivalëve të tij të botës së krimit, dhe kishte shpëtuar nga një atentat i ngjashëm rreth gjashtë muaj më parë, po në të njëjtin burg. Për këtë arsye, ai ishte vendosur në regjim mbrojtjeje dhe mbahej në një qeli të përbashkët me një ish-oficer policie të akuzuar për trafik droge. Megjithatë, këto masa mbrojtëse nuk rezultuan të mjaftueshme për t’i garantuar sigurinë e tij.

Sipas hetimeve paraprake, 27-vjeçari grek ka hyrë në qelinë e Alijat dhe e ka goditur disa herë me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, Alijat ka ndërruar jetë nga plagët që kishte marrë.

Viktima kishte qenë në kërkim për një periudhë të gjatë pas arratisjes nga burgu i Korfuzit, ku ishte arratisur pas një lejeje dhe nuk ishte kthyer më. Ai ishte arrestuar pas gati nëntë vitesh dhe u kthye sërish në burg.

Autoritetet greke kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe po shqyrtojnë mundësinë e dështimit të protokolleve të sigurisë brenda burgut të Korydallos, një prej institucioneve më të ruajtura të vendit. Për hetuesit, është kyç të kuptojnë nëse ka pasur mungesë të mbikëqyrjes dhe pse masat mbrojtëse për një person me rrezikshmëri të tillë nuk ishin të mjaftueshme.