Pazaret dhe konfliktet e drogës dhe lufta e egër për territor, besohet se janë pistat kryesore dhe motivi i krimit të rëndë të ndodhur në Burgun e Koridhalosit në Greqi, ku mbeti i vdekur pas një sulmi me thikë të improvizuar, i dënuari përjetë Jani Aliaj, 49 vjeç, nga Tepelena.
Por autoritetet nuk përjashtojnë edhe një motiv të mundshëm të hakmarrjes, për shkak të aktivitetit të ngjeshur kriminal që kishte shqiptari me dy identitete dhe që njihej me pseudonimin “Xheku”. Hetuesit grekë dyshojnë më shumë se shkaku gjendet tek dalja nga burgu në Greqi kohë më parë e Aliajt dhe rikthimi i tij në qeli më 2024 pas riarrestimit.
Dënimet e tij ishin të rënda si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri, për vrasje dhe trafik droge. Ndaj besohet se për Aliajn mund të ketë pasur një “kontratë vdekjeje” dhe i dënuari po për dy vrasje, autori 28-vjeçar grek, është porositur nga një shqiptar jashtë hekurave për ta kryer krimin, sipas “Protothema”.



