GJKKO ka lënë pas hekurave Sabah Nuzin, i cili akzohet se ekzekutoi Klevis Lleshit kundrejt 50 mijë eurove. Ky i fundit raportohet se ka mohuar akuzat para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme.

Ndërkohë Samet Loka, i cili akuzohet si pjesëtar i grupit kriminal të Aurel Hoxhës, porositësi i vrasjes, është lënë në masën “arrest shtëpie”.

Ky grup i strukturuar kriminal pastronte paratë që vinin nga trafiku i drogës nga vendet e Amerikës së Jugut në BE dhe Shqipëri. Këto para thotë SPAK, investoheshin në vendin tonë dhe jashtë saj.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, pikërisht me fuqinë e këtyre parave të ardhura nga bota e drogës, Aurel Hoxha ka paguar për vrasjen e të afërmit të hasmit të tij. SPAK thotë se ky grup kriminal i pastrimit të parave të drogës, ka në përbërje edhe persona të tjerë për të cilët po punohet të identifikohen.

Aurel Hoxha rezulton të jetë pronar i lokal “Monopol” dhe i agjencisë turistike “Elite Event”, të dyja me vendndodhje në zonën e “Myslym Shyrit”, ndërsa është shpallur në kërkim. Gjithashtu pas Sabah Nuzit dhe Samet Logës, dje u arrestua dhe Sajmir Kolaveri, i cili u kap në Itali.

Ky i fundit akuzohet nga SPAK si ndihmës dhe ndërmjetës mes porositësit Aurel Hoxha dhe vrasësit me pagesë Sabah Nuzit, ndërsa pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Vrasja e Klevis Lleshit u zbardh ditën e djeshme nga SPAK pas zbërthimit të bisedave të shkëmbyera në programin SKy Ecc.