Një motor që dyshohet se i përket autorëve të vrasjes së Kristjan Kolës në Shkodër, është gjetur i djegur në fshatin Vukatanë. Motomjetit pritet t’i bëhet ekspertiza për të gjetur prova të mundshme të autorëve të cilët dyshohet se janë ndihmuar edhe nga një person tjetër.
Më herët u raportua se dy autorëve i është më pas se një minutë kohë për të eleminuar 34-vjeçarin. Teksa lëviznin me motor, ata qëlluan në drejtim të të riut 8 plumba nga një armë gjysmë silenciator duke e lënë të vdekur në vend. Nga rindërtimi i skenës së vrasjes, bëhet e ditur se vrasësi ka qenë profesionist, duke mos gabuar shënjestrën dhe lëvizjet e tyre tregojnë për një studim të objektivit. Ndërkohë, shkaqet e ngjarjes ende mbeten mister.
Dëshmitarët e natës së ekzekutimit kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtënat për shkak se pistoleta dyshohet se ka qenë me silenciator. Por dëshmitarët kanë deklaruar se vetëm kanë parë Kolën të shtrirë në tokë. Para afro një viti e gjysmë viktima ka pasur një konflikt për motive të dobëta por atë konflikt e ka mbyllur dhe nuk qëndron si pistë hetimore për policinë.
Ndërsa 34 vjeçari ka qenë dy herë për periudha të shkurta jashtë Shqipërisë por as atje nuk raportohet për përfshirjen e tij në ndonjë konflikt të mundshëm. Nga ana tjetër 34-vjeçari nuk ishte person me precedent penal, dhe nuk kishte konflikte. Kola së bashku me babain e tij kishin një kompani ndërtimi, dhe punonin së bashku.