Në procesin “Plumbi i Artë” ka dëshmuar këtë të enjte para gjykatës dëshmitari Zylyf Hoxha, lidhur me vrasjen e ndodhur më 13 dhjetor të vitit 2019, ku mbeti i vrarë 26-vjeçari Andi Zylyfi. Dëshmitari Hoxha deklaroi se nuk i ka parë autorët e atentatit.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale Elbasan–Peqin ku viktimë e atentatit mbeti i riu Zylyfi, i cili, pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e shpejtë, mbërriti pa shenja jete në spital. Andi Zylyfi ishte djali i hallës së Endrit Alibejt, i vrarë në vitin 2018. Nga breshëria e të shtënave u plagos rëndë edhe 23-vjeçari Ardit Uruçi, banues në fshatin Përparim.

Dëshmia e Zylyf Hoxhës para gjykatës:

Jam thirrur në vitin 2019 në polici për një ngjarje të ndodhur në fshatin Përparim. Disa bashkëfshatarë që ishin jashtë lokalit u futën brenda, kuptuan që ishin të shtëna. Unë lajmërova policinë dhe i thashë dëgjuam të shtëna. Këto deklarime i kam thënë edhe përpara komisariatit Peqin dhe në Elbasan. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë “Bobi”, Andi Zylyfi. Ne nuk e pamë dhe nuk e verifikuam ishte vrarë apo jo, u shtrimë të gjithë në tokë. Përveç tij, u plagos njëri me mbiemër Uruçi. Ishin të njohur për ne, fshatarët tanë. Jemi fqinj, komshinj. “Bobin” e shihja te ai lokali, është kafja e fshatit. Aty te lokali ishin edhe kushërinjtë e tij, Edison Zylyfi, Uruçi ishte aty, ishin disa kushërinj të tij. Ai erdhi na respektoi, pastaj mori një shishe ujë, pastaj doli jashtë lokalit bashkë me Uruçin (i referohet Ardit Uruçit). Nuk e di kush gjuajti me armë, ne u trembëm, u larguam nga frika. Sa dolëm jashtë lokalit, jo më shumë se 10 minuta, dëgjuam të shtëna. Dëgjuam që janë të plagosur, pastaj i morën familjarët për t’i çuar në spital. Të shtënat ishin breshëri.