Lulzim Visha mësohet se është ekzekutuar pranë banesës së tij në rrugën “Shën Stefani”, Zall Mner.
Raportohet se policia është vënë në kërkim të një automjeti tip “Porsche” ngjyrë gri, pasi dyshohet se u përdor nga autorët e krimit. Nuk dihet ende nëse viktima është ekzekutuar gjatë mbrëmjes apo mëngjesin e sotëm.
Trupi i tij i pajetë u gjet brenda makinës rreth orës 07:40 të mëngjesit të sotëm nga një banor i zonës, i cili lajmëroi policinë. Në vendngjarje janë gjetur 12 gëzhoja, ndërsa policia ka sekuestruar kamerat në zonë, pasi mund të kenë regjistruar momentin e krimit.
“Më datë 24.01.2025, rreth orës 07:40, në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, është konstatuar pa shenja jete, brenda një automjeti, shtetasi L. V., 48 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar i vrarë me armë zjarri. Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje. Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, informuan blutë e Tiranës.
Hasmëria është pista kryesore e ekzekutimit të 48-vjeçarit, pasi ai është vëllai i Besnik Vishës, i cili në vitin 1997 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Refik Domi. Krimi ndodhi për motive të dobëta në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë.
Në 29 qershor 2001, Gjykata e Tiranës e dënoi me 12 vite burg, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”.