Greqia ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre personat e dyshuar për përfshirje në vrasjen e mafiozit grek Giorgos Moschouris, i njohur ndryshe me nofkën “Thamnakias”. Mes të arrestuarve ndodhen edhe dy shtetas shqiptarë.
Sipas mediave greke, të akuzuarit përballen me një listë të gjatë veprash penale, ku përfshihen nëntë akuza për krime të rënda dhe gjashtë kundërvajtje. Megjithatë, të tre kanë mohuar çdo lidhje me organizatën kriminale që dyshohet se qëndron pas atentatit.
Njëri prej të pandehurve ka pretenduar gjatë seancës se provat teknologjike rrëzojnë dyshimet ndaj tij. Ai ka deklaruar para gjykatës se sinjali dhe vendndodhja e telefonit të tij celular tregojnë se në momentin e vrasjes ndodhej në një tjetër zonë, duke këmbëngulur gjithashtu se nuk njeh asnjërin prej bashkë të akuzuarve.
“I hedh poshtë të gjitha akuzat. Nuk kam asnjë lidhje me personat e tjerë të përfshirë dhe nuk i njoh ata. Nuk shfaqem në asnjë pamje filmike dhe të dhënat e celularit tregojnë se kam qenë diku tjetër. Personi që kërkoni nuk jam unë,” mësohet të ketë deklaruar 48-vjeçari gjatë mbrojtjes së tij.
Hetuesit grekë dyshojnë se eliminimi i Moschouris është organizuar nga rivalë të tij në botën e krimit, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe motivet që çuan në atentatin mafioz që tronditi opinionin publik në Greqi.
