Ka dalë rezultati i akt ekspertimit të thikës që dyshohet se u përdorur në vrasjen e Martin Canit.
Raportohet se në thikë, nga gjurmët e gjakut u zbuluan dy profile ADN-je, një prej tyre përputhet me viktimën Martin Cani ndërsa profili i dytë përputhet me profilin e Luis Meçes, 14-vjeçari që mbeti i plagosur nga ngjarja.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.
Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëjtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.