Gjyqi


Pas prokurorisë, mbrojtja e të pandehurve jep konkluzionet. Vendimi jepet më 24 prill


anoril caniPas Prokurorisë së Fierit, e cila kërkoi tri javë më parë dënimin me burgim të përjetshëm të Fatmir Eminit, i njohur si Mile Çami dhe vëllezërve Artan e Bledar Yzeiri, të akuzuar për vrasjen e nënës së Lulzim Cakës, dje ka qenë mbrojta e të pandehurve që ka dhënë konkluzionet përfundimtare. Mbrojtësi ligjor i të pandehurve ka kërkuar shpalljen të pafajshëm të klientëve të tij. Sipas mbrojtjes, organi i akuzës nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme ndaj klientëve të tij, duke kërkuar që të mos pranohet kërkesa e prokurorisë për dënimin e të pandehurve. Pas konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Alfred Konomi, Pirro Sota dhe Matilda Shalla është tërhequr për marrjen e një vendimi. Pasi janë konsultuar me njëri-tjetrin, treshja gjykuese ka vendosur që ta shpallë vendimin të mërkurën e javës së ardhshme. Rreth tri javë më parë, prokurori i çështjes, Çlirim Sino, kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm të tre të pandehurve të sipërcituar. Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se në vitin 1999, i dënuari Lulzim Caka ka qenë i arrestuar dhe qëndronte në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Fier. Më datë 1 korrik 1999, të dënuarin Lulzim Caka ka shkuar ta takojë e ëma, e ndjera Xhevrije Caka dhe kunati i tij. Sipas prokurorisë, paraditen e kësaj date, pranë Komisariatit të Policisë Fier, po lëviznin me një autoveturë tip “Benz” të pandehurit Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri e disa persona të tjerë të dyshuar. Në momentin që e ndjera Xhevrije Caka është afruar pranë komisariatit të policisë, në vendin e takimit me të paraburgosurit, është afruar aty dhe automjeti i të pandehurve Artan e Bledar Yzeiri, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë rrëmbyer të ndjerën Xhevrije Caka dhe e kanë futur me forcë në automjetin e tyre, thuhet në dosjen e organit të akuzës. Menjëherë automjeti i të dyshuarve, i shoqëruar nga makina të tjera, janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së “Zogut të Zi”. Ndërsa kunati i Lulzim Cakës, i trembur, është kthyer në shtëpi, e pasi ka biseduar me bashkëshorten, ka shkuar e ka denoncuar në Policinë e Fierit rrëmbimin e vjehrrës së tij. Të nesërmen, në vendin e quajtur Stani i Durajve, në perëndim të fshatit Seman i Ri Fier, është gjetur e vrarë me armë zjarri e ndjera Xhevrije Caka. Në vendngjarje, policia ka sekuestruar tri gëzhoja pistolete me të cilën është qëlluar e ndjera. Sipas prokurorisë, nga kryerja e veprimeve hetimore për motivet e kësaj vrasjeje, si dhe rrethin e bashkëpunëtorëve, që tashmë janë provuar në gjykim bazuar në prova shkresore e me dëshmitarë, është arritur të identifikohen autorët. Në konkluzionet e organit të akuzës thuhet se organizatorët dhe ekzekutorët e kësaj vrasjeje janë të pandehurit Fatmir Emini, Artan Yzeiri, Bledar Yzeiri. Gjithashtu shtohet fakti se në vrasje kanë bashkëpunuar edhe persona të tjerë të paidentifikuar ende.