Gjykata e Durrësit ka liruar sot nga qelia Arbër Paplekajn, i akuzuar për vrajsen e kandidatit për deputet, Pjerin Xhuvanit.

Gjykata e Durrësit mori për shqyrtim kërkesën e Arbër Paplekajt dhe vendosi lirimin e tij me kusht nga qelia. Në kërkesën e tij, ish-efektivi i RENEA-s kishte argumentuar se ka kryer pjesën më të madhe të dënimit.

Arbër Paplekaj u dënua nga Gjykata e Elbasanit me 22 vite burg për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, por kishte pretenduar se krimin e kreu për vetëmbrojtje. Ndërkohë Gjykata e Apelit me një vendim të datës 1 korrik 2024, e ka dënuar me 7 vite burg ish-efektivin e RENEA-s. Togat e zeza ndryshuan akuzën ndaj tij nga “Vrasje në rrethana cilësuese” në “Vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, përkrahës i PS, ndodhi më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Ngjarja ndodhi pas përplasjes mes shtabeve elektorale, ku struktura informale e ngritur PD-ja për të mbrojtur votat ndaluan makinën e Mehmet Greçës, pasi ai kishte në mjet jo vetëm para për të shpërndarë për blerje votash, por madje edhe listat e zgjedhësve.

Ky i fundi u tha se thirri në ndihmë Pjerin Xhuvanin, i cili mbërriti aty dhe fatkeqësisht humbi jetën në atë shkëmbim zjarri. Policia dhe prokuroria e Elbasan thanë se gjithçka ndodhi pas një sherri verbal mes palëve ku u vra Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota.