Policia greke ka vijuar hetimet për vrasjen e pronarit grek dhe mikut të tij shqiptar, ngjarje e cila ndodhi më 5 tetor në Finikounda të Greqisë. Këtë herë policia ka zhvilluar një kontroll në dyqanet e pronarit, i cili kishte punësuar autorin 22-vjeçar. I riu i punësuar nga pronari grek është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se është autori i ngjarjes së rëndë.
Bashkë me autorin është arrestuar edhe bashkëpunëtori i tij, një greko-britanik, po 22-vjeçar. Mediat greke shkruajnë se oficerët e policisë po kontrollojnë lokalet për të identifikuar prova, të cilat mund të hedhin më shumë dritë mbi krimin. Në të njëjtën kohë, shtëpia dhe kampingu i viktimës po kontrollohen përsëri me urdhër të një hetuesi.
Vrasja ndodhi mbrëmjen e 5 tetorit në një kamping në Finikounda, kur autori, pasi kishte mbuluar fytyrën, hyri me forcë në recepsionin ku ndodhej pronari 68-vjeçar me kujdestarin e tij 60-vjeçar dhe mikun e tij të vjetër. Personi i armatosur qëlloi me gjakftohtësi pronarin, duke e plagosur për vdekje, dhe më pas vrau mikun e tij, i cili u përpoq të arratisej. Në vrasjen e dyfishtë ishte i pranishëm edhe nipi i pronarit, i cili arriti të arratisej.
