Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e Ramazan Matajt, pas arrestimit të autorëve. Mësohet se policia ra në gjurmët e autorëve përmes zbërthimit të telefonit të viktimës.

Dy vëllezërit Arjon dhe Klinsman bashkë me babain e tyre, Rrustem Hasaj kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa është ndaluar edhe një i afërm i tyre, i cili ka qenë bashkëpunëtor. Raportohet se njëri prej tyre dyshohet si autori kryesor që qëlloi mbi Matajn, ndërsa tre personat e tjerë e ndihmuan.

Pista kryesore e vrasjes së 33-vjeçarit është një konflikt personal mes viktimës dhe njëri prej djemve.

33-vjeçari Ramazan Mataj u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij tip “Benz” dhe më pas u gjet nga kalimtarët e rastit, banorë të fshatit Dragoç të dielën.

Autorët dyshohet se e kanë ruajtur Matajn gjatë natës dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshatit e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur. Ishin banorët që panë 33-vjeçarin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë.

Sipas informacioneve, ai ka qëndruar në Belgjikë, aty ku aktualisht ndodhet edhe vëllai dhe prej një viti ishte kthyer në Shqipëri. Mataj ka bërë punë ditore në ndërtim në Mal të Zi dhe nuk rezulton të ketë precedent penalë.